Replek

April 20, 2023

Dhimbje fyti 

Ajri i ftohtë dhe ndryshimet ditore të temperaturës janë shkaktarët e gjendjes së dhimbjes së fytit, që shfaqet si pasojë e një ftohjeje dhe shumë shpesh është pasojë e alergjive, ajrit të ndotur, pirjes së duhanit, konsumimit të pijeve të caktuara, frymëmarrjes me gojë, etj. si dhe probleme me sinuset paranazale. Edhe pse kryesisht e padëmshme, gjendja e dhimbjes së fytit ndonjëherë mund të shkaktohet nga sëmundje të rënda. Në fillim duket si gudulisje, gërvishtje, gëlltitje e vështirë, por në disa raste mund të paraqitet të ngjirurit e zërit, kollë, dhimbje që përhapet në vesh dhe mund të pasohet nga plogështi e përgjithshme. 

Fyti është i ekspozuar ndaj “sulmit” të mikroorganizmave të ndryshëm, mbi të gjitha viruseve (të shkaktuara nga ftohja, mononukleozë infektive…) dhe baktere. Infeksionet janë më të zakonshme në fund të vjeshtës dhe gjatë dimrit, dhe transmetohen përmes duarve të palara, kontaktit të drejtpërdrejtë, për shembull, me kollë, teshtitje dhe puthje. Shpesh shfaqet tek fëmijët dhe të rinjtë, por mund të ndodhë në çdo moshë. Prandaj, nuk duhet të habisë fakti që shumë fëmijë “vuajnë” nga gjendja e dhimbjes së fytit. Në sezonin e ngrohjes, ajri në dhomat e ndenjes është i thatë, kështu që nëse nuk përdoren “lagështues” në radiatorë dhe elementë të tjerë ngrohës, tharja e gojës dhe fytit në mëngjes është një gjendje e pakëndshme, por nuk shkakton infeksion. 

Si të parandaloni shfaqjen e dhimbjes së fytit? 

  • Mbroni fytin tuaj – Nëse ju dhemb fyti dhe ju kruhet, bëni një pushim. Flisni më pak, bëni pauza më të gjata kur flisni, mbani një ton të barabartë. Mos flisni për një kohë të gjatë në të ftohtë dhe jashtë. 
  • Kini kujdes me pijet – Mos pini pije tepër të nxehta, të ftohta ose të gazuara. Shmangni dhomat me tym dhe pa ajrosje që mund të kontribuojnë në gërvishtje dhe dhimbje të fytit. 
  • Mbroni veten – Përdorni tableta dhe sprej për të mbrojtur mukozën e fytit. Një nga mënyrat për t’u kujdesur për fytin tuaj është ta shpëlani rregullisht me çajra bimorë. 
  • Merrni frymë përmes hundës – Kjo është e vetmja mënyrë e shëndetshme e frymëmarrjes, sepse frymëmarrja përmes gojës dëmton ndjeshëm mukozën e fytit. Për frymëmarrjen e duhur përmes hundës, është më e rëndësishme që hunda të jetë gjithmonë e pastër dhe mukoza të jetë e shëndetshme. 

Simptomat e dhimbjes së fytit 

Simptomat më të zakonshme janë dhimbje të fytit dhe probleme me gëlltitjen. Dhimbja mund të përhapet në veshë, temperatura e trupit mund të rritet dhe gjëndrat limfatike nën nofullën e poshtme dhe qafën mund të fryhen. Nëse dhimbja e fytit shkaktohet nga viruset, simptomat zakonisht janë më të buta dhe shpesh shoqërohen me një ftohje të zakonshme. Dhimbja e fytit shkaktohet nga virusi Coxsackie dhe ndryshime të vogla aftoze mund të ndodhin në bajamet dhe në qiellzën e butë. 

Nëse gjendja e dhimbjes së fytit shkaktohet nga bakteret e grupit të streptokokëve, bajamet fryhen, mbështillen me një shtresë, dominojnë dhimbjet e forta në fyt dhe era e keqe e gojës dhe gjendja e përgjithshme e pacientit është e keqe, e shoqëruar me temperaturë të lartë. Streptokoku është bakteri që shkakton ethet reumatizmale, që është një sëmundje shumë e rëndë që shkakton dhimbje kyçesh dhe dëmtim të valvulave të zemrës. Prandaj, trajtimi i dhimbjes së fytit të shkaktuar nga streptokoket është shumë i rëndësishëm për të parandaluar shfaqjen e etheve reumatizmale. 

Kur duhet t’ju marrin bris nga fyti? 

Brisi është një metodë e thjeshtë dhe e përballueshme diagnostike që mund të bëhet në shumë laboratorë. Pas 24 orësh dhe pas “leximit të parë”, tashmë është e mundur të dihet nëse ndonjë nga bakteret patogjene po “rritet” dhe nëse duhet “të mposhtet” me antibiotikë. 

Kur duhet të shkoni në mjek? 

Nëse dhimbja në fyt nuk zvogëlohet, pavarësisht përdorimit të analgjezikëve, duhet kërkuar ndihma e mjekut, edhe nëse nuk shoqërohet me temperaturë të ngritur. Prandaj, nëse dhimbja rritet pas 24 orësh nga fillimi i simptomave (edhe pse pacienti merr qetësues), kërkohet konsultimi i mjekut. Ekzaminimi nuk duhet të vonohet nëse dhimbja në fyt shoqërohet me ënjtje të gjëndrave limfatike në qafë. 

A duhet të jepen menjëherë antibiotikët? 

Çdo gjendje e dhimbjes së fytit nuk është anginë (siç gabohet zakonisht), veçanërisht nëse nuk shoqërohet me temperaturë të lartë. Ka shumë viruse që shkkatojnë inflamacion në fyt dhe shkaktojnë dhimbje, gërvishtje, skuqje dhe vështirësi në gëlltitje. 

Në disa raste, antibiotikët nuk do të ndihmojnë aspak, ndaj mjekët këshillojnë shpëlarjen me ujë të ngrohtë me kripë, pirjen e shumë lëngjeve, mbajtjen e ajrit në dhomën ku qëndroni të lagësht, ajrosje të shpeshtë, pushim. 

Është e justifikuar dhënia e analgjezikëve, si paracetamoli ose ibuprofeni, të cilët reduktojnë në mënyrë efektive dhimbjen në fyt. Është e gabuar të mendohet se këto barna do të maskojnë fillimin e temperaturës, e cila mund të jetë shenjë e streptokokut. Kur bëhet fjalë për fillimin e anginës purulente, temperatura do të shfaqet pavarësisht ilaçeve kundër dhimbjeve. 

Marrja e antibiotikëve justifikohet nëse bëhet në konsultim me mjekun – për të përcaktuar administrimin e një bari me efekt optimal dhe për të kontrolluar kohëzgjatjen e përdorimit të barit. 

Ka shumë preparate (sprej, solucione, tableta) që përmbajnë substanca për të lehtësuar dhimbjen dhe inflamacionin. Ata nuk janë antibiotikë, por janë të dobishëm dhe ndihmojnë në uljen e simptomave të dhimbjes së fytit. E veshin mukozën e sëmurë të fytit, zvogëlojnë ndjesinë e pakëndshme, por kanë edhe efekt antiseptik dhe kështu zvogëlojnë mundësinë e infeksionit shtesë (sekondar) të fytit. 

dr. Vase Stojçeska, 

Specialist otorinolaringolog, ISHP SPQ “8 Shtatori” Shkup 

Artikuj të lidhur

Çfarë është e rëndësishme të dini kur zgjidhni një sprej për dhimbje fyti? 

Çfarë është vitamina B12? 

Vitamina e diellit – Vitamina D