April 20, 2023
Dhimbja neuropatike (NeuB) është një lloj dhimbjeje komplekse që ndodh për shkak të lëndimit ose mosfunksionimit në sistemin nervor dhe përkufizohet si dhimbje që ndodh si pasojë e drejtpërdrejtë e një lezioni ose sëmundjeje të sistemit nervor qendror ose periferik.
Shkaqet e dhimbjes neuropatike në sistemin nervor qendror përfshijnë: goditjet në tru, lëndimet traumatike, nevralgjitë, ndërsa shkaqet e dhimbjes neuropatike në sistemin nervor periferik përfshijnë: neuropatinë e shtypjes/ngërçit të nervit, neuropatinë ishemike, neuropatinë post-traumatike (shfaqet pas një dëmtimi ose si rezultat i procedurave mjekësore – kirurgji ose injeksion, nevralgji postherpetike (mund të ndodhë pas infeksionit viral të herpes zoster, kovid) dhe neuropati diabetike.
Kur një sistem shqisor ndikohet nga lëndimi ose sëmundje, nervat në atë sistem nuk mund të funksionojnë për të transmetuar ndjesinë në tru. Dhimbja neuropatike përshkruhet si një ndjesi shpimi gjilpërash ose djegieje. Dhimbja e tillë mund të zhduket spontanisht, por shpesh është kronike. Ndonjëherë është e fortë dhe e vazhdueshme, dhe ndonjëherë është e përsëritur (shfaqet dhe zhduket me perioda). Shpesh është rezultat i dëmtimit nervor ose mosfunksionimit të sistemit nervor. Dëmtimi i nervit çon në një ndryshim në funksionin nervor në vendin e lëndimit dhe rajonin rreth tij përkatësisht pjesët e trupit që inervohen nga nervi i dëmtuar. Dhimbja neuropatike zhvillohet gradualisht, është një dhimbje e papritur që çon në një ndjesi shpimi gjilpërash (gjilpëra), djegie, therje ose mungesë ndjesie (mpirje).
Për shumë pacientë, intensiteti i simptomave mund të rritet dhe të zbehet gjatë gjithë ditës, ndërsa për të tjerët, dhimbja mbetet e vazhdueshme dhe e rëndë. Dhimbja neuropatike shoqërohet shumë shpesh me dëmtimin e nervit periferik (neuropatinë) të shkaktuar nga diabeti ose stenoza e shtyllës kurrizore, lëndimet dhe bllokimi i nervave. Fillimi i dhimbjes mund të prolongohet ose edhe të fillojë edhe më vonë (muaj ose vite pas ngjarjes së dëmtimit parësor).
Dhimbja neuropatike është e ndryshme nga dhimbja nociceptive, e cila është një lloj dhimbjeje që ndodh gjatë një dëmtimi akut, si për shembull thyerja e gishtit të këmbës ose shpimi i gishtit gjatë ecjes zbathur. Kjo lloj dhimbjeje është zakonisht e shkurtë dhe zakonisht reagon në barna të zakonshme për dhimbje, ndryshe nga dhimbja neuropatike.